Në atë fushë ku s’vijnë pranverat
Loti dhemb më shumë se gjaku
Çfarë ka më të bukur se vdekja?
Përmes saj kthehemi te Haku
Vdekja e bukur është për të gjithë
Janë veç kthimet që dallojnë
Kur bashkohet nefsi me trupin
Kthimin shpirtit ia shëmtojnë
S’vret goditja e armiqve
Sa e miqve të pandehur
S’të bën gjë armiku i shfaqur
Çfarë të bën armiku i fshehur
Kur e do mposhtjen e tjetrit
Premtoji se je me të
Dhe në çastin e përballjes
Ik dhe lëre pa asgjë
Por a mund të mposhtet zemra
E gatuar për xhenet
Po s’frymoi sipas Drejtësisë
Për Drejtësinë do të ndërrojë jetë
Kush përpiqet ta mbyllë burimin
Grykës rrjedhën t’ia ndalojë
Le ta dijë se uji i tij
Në mijëra vende do të gufojë
Për Musain dhe faraonin
U ça deti, u bë dëshmim
Për të parin u bë rrugëdalje
Për të dytin veç ndëshkim
Të ndiesh dhembje për Huseinin
Duhen gjë emrat, mbiemrat?
Mrekulli po u çanë detet
Si ta quash, kur çahen zemrat?
Veç ata që në zemër të ruajnë
T’i thërrasësh fare nuk presin
Kur nuk mund të jetojnë me ty
Gjallërisht afër teje vdesin
Musaja dhe Qerbelaja
Me dëshmi qëndisin jetën
S’luftojnë skllevërit për lirinë
Por ata që çlirojnë veten. ~ Fatmir Muja