Kur shfaqesh para pasqyrës, ç’bën?
E sheh pasqyrën apo fytyrën? Ë?
Po si ore e sheh fytyrën nëse s’e sheh pasqyrën?
Domethënë të lënka fytyra
ta përqëndrosh vëmendjen te pasqyra? Ashtu?
I sheh te dyja, sa pasqyrën, aq edhe fytyrën?!
Jo mor’ jo, ti e sheh fytyrën duke e parë pasqyrën
Po s’e pate hallin e fytyrës, nuk i del para pasqyrës
Madje aq fort e sheh fytyrën, sa e harron pasqyrën
Të jemi të sinqertë: edhe pse pasqyra na tregon si duket fytyra
Ne s’kemi pikë kureshtje për pasqyrën, por për fytyrën
Se po të mendonim veç një herë: pse ekziston pasqyrimi?
Do ta shpëtonim veten nga vetja, nga harrimi
Për gjithë Universin zemrën e kemi Pasqyrë
Gjithçka që ekziston është veç Një Fytyrë
Për shkak të mjerimit tonë botën kemi ndarë
Dy sytë i bëmë pengesë Njëshin për të mos e parë
Të duhen gjë sytë, ëndrra për të shikuar?
Të duhen gjë këmbët në ëndërr për të udhëtuar?
Të duhet gjë gjuha në ëndërr për të folur?
Megjithëse s’udhëton me trup, mund të zgjohesh i lodhur;
Ja pra, kjo është katandisja e njeriut
që në Tokë është më lart se çdo gjallesë
Por ka zgjedhur të jetojë më poshtë se të gjitha,
veten ta dënojë me harresë
Ai është vetë Pasqyra Hyjnore e Shpalosjeve pambarim
Shikuesi dhe e shikuara bëhen Një në shikim
E në paç ende hall se si dukesh në fytyrë
Nuk kam ç’të të bëj, shihu në pasqyrë
I gjithë Universi veten në ty e sheh
E ti në pasqyrë veten a po e njeh? ~ Fatmir Muja

www.fatmirmuja.al 2018