Ata që duan të të harrojnë
Nuk mund të të mos kujtojnë
Rrugët që nga i dashuri të largojnë
Te i dashuri të çojnë
Një rrugë quhet “Mosmirënjohje”
E tjera “Faleminderit!”
Kush s’kthehet nëpërmjet parajsës
Do të kthehet nëpërmjet ferrit

Nuk ka rrugë të re a të vjetër
Që të çon diku tjetër
Lumi s’jeton pa burimin
Por me detin s’e shmang takimin
Çfarë u shkrua, do të ndodhë
Këtë mendimet s’e ndryshojnë
Besimi dhe mosbesimi
S’kanë fuqi ta ndalojnë

Në dynja jam dëshmitar
Për takimin e pashmangshëm
Prapë Ademi dhe Havaja
Shihen në vendin e mëparshëm
Ndarjet ndodhin për shkak të egos
E takimet për shkak të shpirtit
Sado ta dallosh një ditë
S’mund ta ndash atë prej vitit

Do ta dish sa vlen ashku
Veç atëherë kur zemra thyhet
Kurrë takimi i të dashurve
Nuk nxiton, as s’mund të shtyhet
Akrepat tregojnë veç numrat
S’tregojnë kohën, janë mashtrim
Nuk është ora, por është zemra
Që kurdiset për takim. ~ Fatmir Muja