Përtej perdes së kësaj qenësie
Mbyllen sytë e sheh veç zemra
Dashuria nuk është emër
Për pa Të s’do kishte Emra
Në shpalosjen e këtij ashku
Përveç mallit gjithçka vdes
Edhe kur nuk ndodh takimi
Kam fuqi gjithnjë të pres
Se vetë pritja është dëshmi
Që gjithnjë jam në vendmbërritje
Dashuria s’është veç takim
Dashuria është edhe pritje
E kur ngrihet ajo perde
“Ahu” i zemrës i mbush qiejt
Krejt qenësia bëhet “hiç”
Edhe “hiçi” bëhet “krejt”
Në këtë baltë që qan e qesh
Zemra kurrë nuk është veç mish
Jam Ademi dhe Havaja
Në Xhenet i kthyer sërish. ~ Fatmir Muja