Ja si fshihet dielli larg Dajtit e ia sjell edhe një natë Tiranës!
Nata çdoherë na e kujton një fund sepse çdo natë është fundi i një dite
Kur dielli të ketë perënduar për një anë të botës,
Sërish i falë dritë asaj ane nëpërmjet hënës, që errësira të mos e pushtojë tokën.
Kandili i jetës rri i ndezur në qiell për hir të tokës
Ai jeton për të edhe pse kurrë asaj s’i afrohet
Si dielli janë shumë zemra në tokë,
Ato jetojnë larg atyre që i duan vetëm për të mos i djegur
Prandaj, largësia dëshmon për afërsinë e të
dashuruarve.
Janë ndezur kandilat e Tiranës dhe për të pestën herë
një zë thërret: “Eja në shpëtim!”
Por ç’e do që për ta shpëtuar veten shumë zemra s’kanë guxim?
Çdo natë është e fundit sepse çdo natë vetëm një herë vjen në botë
Çdo mysafir i kësaj bote ndahet nga bota por jo çdo ndarje është fund
Ndarjet nuk janë fundi i dashurisë por fillimi i dhimbjeve për të dashurit
Sa zemra copëtohen në botë nga malli që ndarjet e shkaktojnë e takimet e shtojnë?
Sa vjet i humbëm në jetë dhe tani kërkojmë edhe një çast për t’u çmallur
E si mund të çmallemi në çastin e ndarjes kur s’u çmallëm në atë të takimit?
Nuk ka mjaftuar një mal me gurë për ta gdhendur buzëqeshjen tënde
Nuk ka mjaftuar një det me ngjyrë për ta pikturuar gëzimin e syve tu
Po ç’të gjeti që u këpute si gjethe e m’i solle të gjitha vjeshtat e jetës në zemër?
Ç’është ai lot i përgjakur në syrin tënd që po e përmbyt një botë?
Përse u bëmë për njëri-tjetrin bukë e helmuar
me të cilën u ngopëm dje për t’u goditur sonte nga dhimbjet e helmit?
Çfarëdo që të të pyes, sonte nuk duhet të përgjigjesh, mjafton të buzqeshësh
që Tirana ta mbajë mend se ka zemra që qeshin me dhimbjet.
A ke aq forcë sa të më thuash natën e mirë?
Nëse përshëndetjet nuk u mungojnë takimeve, përse duhet t’u mungojnë ndarjeve?
Le të ndahemi këtu ku u takuam se dashuritë kanë veç fillim e jo fund
Zemrat braktisin ata që duan më pak, për hir të atyre që duan më shumë
Veç shpirtrat që bashkohen për hir të Së Vërtetës, ndahen të bashkuar në rrugët e jetës.
Veç ata që përjetuan dhimbjen tonë, kur ne të kemi ikur, do të thonë:
“Këtu i lagte loti kur s’i lagte shiu, një zemër nga jugu, tjetrën nga veriu”
Ah sa gjëra do ishte më mirë të mos i kishim se sa t’i humbisnim!
Sa e qetë do ishte zemra nëse për gjërat që s’i dimë të mos flisnim!
Por ja, në botë jemi e botën s’mund ta kemi!
Përmbushja e çdo dëshire që vërtitet në mendje, do ishte ndëshkim për zemrat
Sepse jo çdo herë mendja e di çfarë është e mirë për zemrën
Jetuam në shtatin e nënës por s’mbajtëm mend asgjë nga ajo jetë
U ndamë nga shtati i saj dhe ajo nëpërmjet ndarjes na deshi edhe më shumë
Madje, edhe pse i shkaktuam dhimbje më të forta
Po ndahemi edhe ne sonte me dhimbje që nesër të duhemi më shumë
Nesër sërish dielli do të shfaqet mbi Dajt,
Nesër dhimbjet tona në det i çon Lana, e natën e fundit e ruan Tirana.
Fatmir Muja 2009
www.fatmirmuja.com