Ujë është Dashuria për Pemën e Jetës
Kur takon rrënjën, i jep gjallëri degës
Rrënja që mban trungun duke u thelluar
Është për t’u ujitur, jo për t’u zbuluar
Thellohu në Tokë, lartësohu në Qiell
Me rrënjët në errësirë, me degët në Diell
Mos jeto me gjysma, qenie e tërë ke lindur
Zemrës nuk i duhet mendja për t’u bindur
E ke pyetur veten, di gjë, kush je ti?
Shumë fshehtësi zbulon, vetë mbetesh fshehtësi
Asgjë s’është e jotja, çdo gjë është për ty
Lotë ke brenda syve, por s’i sheh me sy
Ujë ke brenda vetes, për ujë të merr etja
Degën e mban rrënja, rrënjën s’e mban dega
Pema më e bukur je në këtë Qenësi
Jeta jote vlen sa ndien Dashuri
S’ke përse ankohesh që degët s’janë rritur
Nëse rrënjët e tua nuk i ke ujitur
Kush harron rrënjët dhe ruan degët
Pa rrënjë e pa degë në ekzistencë mbetet. ~ Fatmir Muja