Emrin e të dashurit të saj çdo zemër e përmend
S’meriton të quhet “i dashur” ai që dashuria nuk e çmend
E ç’i duhet dashuronjësit mendja, kur zemra e tij është plot
Sado të fuqishëm të jenë trupat, gjumit s’i rezistojnë dot
Megjithëse gjumi s’përdor forcën, trupat i dorëzohen
Takimet me gjumin ndodhin, edhe kur s’dëshirohen
Ne gjumë të gjitha egot vdesin e Frymërat mbajnë trupat gjallë
Ore, si mund të flejë zemra e dashuruar që për Të Dashurin ndien mall?
Një dru është më dashuronjës se një trup njeriu që nuk rrënqethet
Ai qendron fort për rrënjësh, edhe kur i këputen gjethet
Zemrave të dashuruara trupat nuk u flejnë dot
Guri është më i ndjeshëm se një zemër që dashuria s’e bën me lotë
Të dashuruarit duke mos fjetur natën, e bëjnë të bukur edhe ditën
A mund ta duash Diellin e në gjumë ta presësh Dritën?
Pak gjumë i duhet trupit, zemra e të cilit nuk fle
E si mund ta kuptosh ti këtë nëse i dashuruar s’je? ~ Fatmir Muja