Të gjitha ngjyrat e ekzistencës shpalosen për ta shfaqur një Pamje të Vetme, por shqisa fizike e të parit mund të përkapë vetëm ca pjesë të reduktuara. Secila zemër e pranon si realitet të vetin pjesën a fragmentin që sheh nëpërmjet syve dhe pastaj e interpreton atë nëpërmjet mendjes, por pjesa është vetëm një mundësi për të hyrë në Tërësi, në Pafundësi. Nëse kjo mundësi i lihet vetëm mendjes, ajo nga kjo pjesë do të sajojë pjesëza të tjera dhe copëzimi do të jetë i dhembshëm sepse mendja kurrë nuk arrin ta përkapë jetën që qendron më lart se të menduarit. Mendja i nënshtrohet zemrës atëherë kur zemra dashuron. Sapo zemra të jetë përqendruar te dikush a diçka që do, mendja fokusohet e tëra në atë drejtim. Ku mbeten mendimet e tjera që shfaqeshin para se zemra ta ndryshonte gjendjen? Ekzistenca nuk kufizohet në ato që ne shohim dhe njohim, por ne jemi ata që kufizohemi nga mendja dhe trupi. Kur ta kemi gjetur Zemrën tonë, mjafton një pjesëz për t’u bërë të vetëdijshëm për Tërësinë sepse Zemrës nuk i duhet mendja për të dëshmuar për ato që ajo përjeton. ~ Fatmir Muja