Jo!
Unë kurrë nuk do të ndihem i vetmuar midis tokës e qiellit
Të gjithë e ndiejnë ngrohtësinë, por jo edhe vajin e Diellit
Kur Toka digjet nga etja, Dielli qan i trishtuar
E varfër është ajo zemër që këtë vaj s’e ka dëgjuar
I dobët është ai trup që nga zjarri i tij s’është përflakur
I etshëm është ai shpirt që me lotët e tij s’është lagur
E lumtur është ajo frymë që ndihmë s’ka kërkuar
Nga njerëzit e duhur në kohën e gabuar
Por si bjeshka borën, dhimbjet ka duruar
Diellin e përlotur ka përqafuar
E lotët e diellit unë shpesh i kam parë
Me ta kam qeshur, me ta kam qarë
Me ta kam rënë, me ta jam ngritur
Me ta jam gëzuar, me ta jam mërzitur
Me ta kam vazhduar, me ta jam ndalur
Me ta kam gabuar, me ta jam falur
Me ta në heshtje i kam folur botës
Ashtu siç i flet çdo ditë Qielli Tokës.

Jo!
Unë kurrë nuk do të frikësohem të vuaj kur jeta këtë e kërkon
Në muzgun e jetës do bëhem i pranishëm kur gjithë bota më harron
Muzgu ditës as natës s’i takon, por pa të as njëra, as tjetra s’vazhdon
Me fjalën e të përndriturit do zgjohem, ta shkruaj edhe një jetë:
“Kush thotë se u prish njerëzimi, ai është i prishur vetë.”
Ditët do t’i bëj të mira se ditë të mira nuk priten
Urrejtjet duan të na vrasin, por në fund vetëvriten
Lotët nuk janë njësoj sado që së jashtmi ngjasojnë
Ca lotë e ushqejnë dhimbjen e ca e qetësojnë
Me diellin e perënduar sërish do të qesh e qaj
Fajet e gjithë botës, po deshët, do t’i mbaj
Se lotët e diellit unë shpesh i kam prekur
Me ta jam freskuar, me ta jam djegur
Me ta jam ndezur, me ta jam fikur
Me ta kam qendruar, me ta kam ikur
Me ta jam çmendur për të qenë vetvetja
Ujë duket shkretëtira, nëse të djeg etja.

Jo!
Unë kurrë nuk do të pushoj së udhëtuari sado e rëndë të jetë
Nëse rrugë nuk ka, rrugën do ta hap vetë
Do të udhëtoj kah Dielli se flaka e tij më thërret
S’do ta prish gëzimin e të paditurit kur padituria e tij e gëzon
S’do ta prish pikëllimin e të mençurit kur mençuria e lëndon
S’do t’ia prish qejfin as gënjeshtarit se rrena e tij s’më dëmton
Sikur të heshtnin të paditurit do të pushonin edhe grindjet
Armiqtë e të vërtetës nuk janë gënjeshtrat, por bindjet
Në një armiqësi mund të falë veç ai që s’ka bërë faj
Lotët e mi do shterojnë, me lotët e Diellit do të qaj
Se lotët e tij unë shpesh i kam puthur
Me ta kam fituar, me ta kam humbur
Shumë yje kanë rënë por Dielli mbetet
Tokën e gjallëron nga të gjithë planetet
Yjet që bien mendjen ta rrëmbejnë
Më shumë se yjet që ende shkëlqejnë
Duke përshëndetur gjithë yjet që ranë
Veten ia dhashë Diellit që ende po qan
Po i dhe kujtdo atë që meriton
Ajo që të mbetet, gjithmonë të mjafton.

Fatmir Muja 2015