Gjynahet janë plagë që qeniet tona godasin
Po qëlluan në vend të ndjeshëm, mund edhe të na vrasin
S’ka plagë pa gjurmë, por ka gjurmë pa plagë
Veç veten ke afër, të tjerët janë larg
Jashtë zemrës sate po kërkove prehjen
Në vend të shërimit do ta gjesh veç dehjen
Shpirti nuk harron kurrë me u lumnue
Por egoja s’dorëzohet, pret jetën me u dorëzue
Ama jeta është e gjallë, egoja është e vdekur
Është grumbull mendimesh që në kujtesë kanë mbetur
Jeta gjallëron tani kur po lexon këtë varg
Vetëdija është këtu, mendja humbet larg
Vetëdija është si uji, mendimi si etja
Po e pive të parin, do të ikën tjetra
Pi nga Burimi yt, ujërat e ndotur s’të duhen
Të zgjuarit nuk shqetësohen kur budallenj quhen
Të mençurit s’kanë frikë se mund të duken si të marrë
Njeriu me zjarr ngroh ujin, edhe pse uji fik çdo zjarr
Ujit i duhet kohë për të vluar dhe veç një çast për t’u avulluar
Ato që ndien zemra, mendja s’ka kohë për t’i shijuar. ~ Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com 2009