Qielli pikon mall, toka qëndis dhembjet
Askush përveç Njëshit, zemrës s’ia njeh gjendjet
Stinët tona qajnë për një përqafim
Nëse nuk ka ndarje, pse s’paska takim?
Nëse nuk ka ikje, pse paska largim?
Ç’bukuri dynjaja ka pa përmallim?
Po aq sa takimet, janë të bukura ndarjet
Po s’ndodhën gabimet, a mund t’i ndiejmë faljet?
Po a quhet ashk ai që nuk ndez mall
As brumi më i mirë, s’bëhet bukë pa zjarr
Nuk ngutet një gjethe për të rënë nga pema
Për të gjitha stinët është gatuar zemra
Fëmija në mitër pritet gjer sa të rritet
Por s’ka asnjë ngutje prej nënës që pritet
Ekzistenca s’njeh ngutjen, as vonesën
Zogu e di kohën kur do ta thyejë vezën
Para se një zemër ta gjykosh në jetë
Pyet: ç’ka më të ngutshëm se gjykimi vetë?
Po të jetë gjykimi gjë që shkon për së mbari
Nuk të vret në fund, edhe pse vjen i pari
Gjërat s’mund të ndodhin, as herët, as vonë
Edhe nëse ndryshe na thotë mendja jonë
Epo, jemi njerëz, të vetmit që ngutemi
Jemi të natyrshëm, veç atëherë kur lutemi
Zemra mbetet gjallë në sexhde kur lutet
Për takimin tonë, s’vonohet, as s’ngutet. ~ Fatmir Muja