Nesër nga qielli i zemrës do të pikojnë shumë lot
Për germat që nesër do të vdesin, qefinin kam bërë gati sot
Në magjen e kujtimeve tona, nesër nuk do të ketë miell
Uri do të ndiej në tokë, i ngopur do të jem veç në Qiell
Në divanin e kujtimeve si drandofile do të mbij
Aty ku je ti, jam gjithmonë, prandaj nuk mund të vij
Dhe s’do të ketë pamje më të rëndë që trishtimi ka qëndisur
Me pa zgjoin e ashkut tonë bletët si e kanë braktisur
Me i pa hojet e shkreta që janë tharë pa mjaltë
A do të qante ndonjëherë syri, sikur trupi të ishte veç baltë?
Do të qaj në vetminë time si Ademi mbas gjynahut
Mirëpo lotët s’do të m’i shohë, askush tjetër veç Allahut
Lutjet më të bukura rrodhën veç nga zemrat që u thyen
Do të qaj sikur Jakubi, kur Jusufin në shpi s’ia kthyen
S’është e trishtë kur në dynja çanta mund të mbetet bosh
Trishtim është të kesh plot dhurata, e të mos mundesh t’i dhurosh
S’është i trishtë fukarallëku, sa është zemrën të mos e hapësh
Por më i madh se vetë trishtimi, është të kesh e të mos mund të japësh.
Nesër rimat do të qajnë, do të pikëllohen të gjitha germat
Veç në divanin që shkroi zemra, nesër mund të festojnë zemrat
Nëpër kokrrat e tesbihëve nesër do t’i them urimet
Midis lutjesh edhe lotësh do t’i ngjall të gjitha takimet
Do të gëzohem si Ibrahimi, Ismailin kur ia kthyen
Qaben mundën ta ndërtonin vetëm zemrat që u thyen
Sado qofsha zemërthyer, s’do të jem kurrë i zhgënjyer
Po ç’i duhet zemra robit, nëse ashk s’ka për të rrëfyer?
Nesër në ag të mëngjesit, era e pishave në gjoks do më bjerë
Veç atë që s’e do zemra mund ta shohë si të pavlerë
Do t’i mbledh boçat e rëna, që më pishave kurrë s’u kthehen
Do t’i kthej në poezi, me to zemrat le të rrëfehen
Do t’i bëj si fjalë ashikësh, një herë thuhen, gjithherë mbeten:
“Veç një herë më dhe me pi, e më dehe për gjithë jetën.”
Kush ka pirë në Kroin e Ashkut, s’dëshiron të pijë gjë tjetër
Dashuria asnjë të sotme nuk e lë pa një “nesër”. ~ Fatmir Muja