Hë?
Pse ngjyra jonë s’është më?
Nëse nga përzierja e dy ngjyrave përfitohet një
Nga mospërzierja e tyre, ajo do të mungojë gjithnjë.

Mos pyet ku është gjelbërimi i degëve të mia
Tani jam veç gjeth i këputur nga pema
Edhe po takove zemra që më takuan
Nuk ka kush ta thotë sa mall ndjeu zemra

Shih sa i bukur është një gjeth i këputur
Që në Pafundësi ra nga Pema e Jetës
Edhe pse nuk ishe këtu kur u këputa
Në udhëtim të mora, s’të ndava prej vetes

Mos pyet asnjëherë çfarë më bëri malli
Mjafton që u bëmë si sexhdja dhe balli
Mos pyet asnjëherë ku u fshehën ngjyrat
Mjafton që në takim na buzëqeshën fytyrat
Mos pyet asgjë, përgjigjet nuk vlejnë
Përgjigjet u duhen atyre që s’ndiejnë.

Minaret kanë qeshur kur ne jemi parë
E rrugët kanë qarë kur ne jemi ndarë
Me ngjyra xheneti dynjanë qëndisëm
Dhe pastaj dynjanë e hodhëm në zjarr

Tani kubja e shpirtit ka marrë ngjyra vjeshte
Dhe përballë kësaj pamjeje nuk mund të mos qash
Vjeshta nuk është vdekje, vjeshta është veç pjekje
Por zemra s’ka vdekur që lotët t’i mbash

Gjethja në degë më nuk mund të kthehet
Por te rrënjët tona pafundësisht do prehet
S’ka gjë që ngjyrat e mia janë fshirë
Mjafton që pa to ti të jesh më mirë
Mjafton që unë më s’jam njeri i ikjeve
Që ti të mos jesh njeriu i pritjeve
Tani po vazhdoj si kalorësi i vjetër
Udhëtim është dynjaja, shtëpi bota tjetër. ~ Fatmir Muja