Para se të njiheshim, ishim bashkë
Tani që njihemi, jemi të ndarë
A mund të mos njihemi sërish?
Që të mos jemi kaq zemërvrarë
A mund të thirremi pa emra e mbiemra
Ç’na duhen fjalët, kur s’flasim me zemra?
A mundemi njohjen në çnjohje ta kthejmë,
Si s’mundkemi të duhemi, kur mund të urrejmë?
Në të njëjtën zemër ku zë fill urrejtja
Jeton dashuria që nuk e mund vdekja
Toka fsheh lulet kur mbi dhé ka gurë
Po s’i hoqëm gurët, kopsht nuk bëhet kurrë
Mjaft jemi fshehur në guaskë si kërmilli
Në qofsh ti i keqi, as unë s’jam i miri
Bota nuk është Zot, prandaj ka mangësi
Pyete zemrën tënde, ç’bën pa Dashuri?
Bota, ti dhe unë nuk jemi tri gjëra
E tëra është Një, Një nuk është e tëra
Ne mund të ekzistojmë pa emra e mbiemra
Por s’mund të jetojmë po nuk patëm zemra. ~ Fatmir Muja
www.fatmirmuja.al 2020