Ra Ademi nga Parajsa në baltën më të përshtatshme
Për shkak se Përjetësinë e kërkoi në gjërat e jashtme
Për një frut i humbi të gjitha Kopshtet Parajsore
Trupi i bërë nga balta kërkon baltën tokësore
E mori uria trupin, po ç’të bënte njeriu i parë?
Kush t’i tregonte atij të mbillte farë në arë?
Kush t’i thoshte se një farë gruri, mijëra të tjera dhuron
Ah ç’i ndodhka zemrës që lakmon edhe kur asgjë s’i mungon
Si fëmija që vjen me aftësinë e thithjes mbasi të ketë lindur
Për të pirë qumësht në gjirin e nënës, nuk duhet për ta bindur
Edhe zemra e Ademit në Tokë u shfaq me Frymëzim
Trupi i bërë nga dheu në dhé do të gjejë ushqim
Gufuan kokrrat e grurit kur Tokën përqafoi Dielli
Pa praninë e Ademit kurrë nuk do të shfaqej mielli
Gruri iu nënshtrua gurit, guri iu nënshtrua ujit
Për hir të barkut të Ademit u bluan kokrrat e grurit
Gjithçka rrotullohet në ekzistencë, rrotullohej dhe guri
Njeriut i duhet buka edhe pse vlen më shumë se gruri
Ja ç’i ke bërë vetes o njeri harrimtar
Për shkak të barkut tënd, në tokë mbillet çdo arë
Këtë bukë të bekuar në bark kur ta kesh çuar
E di ti fort mirë në ç’gjë ka për t’u shndërruar
Gjithçka që ha ti, bëhet krejt e shpifur
Për çfarë je në tokë, për t’u neveritur?
Gjithë këtë punë e mund në tokë pse e bën,
Pse ik’ nga ajo që vetë e ke ngrënë?
Në këtë ekzistencë përse je i pranishëm
Pa atë që mban në bark, a je i rëndësishëm?
Nëse atë që ke, s’dëshiron ta mbash
Ç’ndodh me trupin tënd, nëse s’do të hash?
Këtë trup të përkohshëm për ta mbajtur në këmbë
Shih ç’Frymëzim në Zemër Hyjnorja të ka dhënë
Zjarri, ajri, uji dhe Toka e tërë
Veç për barkun tënd, a thua janë bërë?
Për ta mbushur barkun, mirë që jep kaq mund
Por sado ta mbushësh, trupi prapë merr fund
A nuk more mësim nga rënia e parë?
Për shkak të ngrënies, nga Parajsa je ndarë. ~ Fatmir Muja