Akrepa prej trëndafili
Ora e të dashurve ka
Qysh në Parafillim
Koha e tyre u nda
Kur i mungojnë njëri-tjetrit
Koha e tyre zgjatet
Po a thua me këtë orë
Mungesa si mund të matet?
Do ta ndiesh mor’ i uruar
Nëse mungesa të dhemb
Njëri akrep është petale
E tjetri është gjemb
Kur janë pranë njëri-tjetrit
Kohën petalja mat
Dhe gufon aroma
Deri në Qiellin e Shtatë
Por kur të jenë larguar
Gjembi mat çdo sekondë
Pritja bëhet dhembje
Petalet mbeten në sfond
Kështu pra matet koha
O ti që këtu u afrove
Me petale a gjemba e mate,
derisa këto fjalë lexove? ~ Fatmir Muja