A je me abdes?
Nëse jo, atëherë takohu me ujin para se të fillosh leximin,
Nxito ngadalë që të mos vonohesh, por mos harro falënderimin,
Pika është fshehtësi e fshehtësive për ata që me bismilah fillojnë,
More edhe një zemër e vetme po e kuptoi, oqean do të bëhet çdo shkronjë,
Por te kuptimi mund të arrijnë veç ata që zemrën e pastrojnë,
Malli i të dashuruarve nuk shuhet me përmendjen e emrave,
Të dashuruarit vdesin nëse nuk jetojnë brenda zemrave,
Nuk po të pyes nëse ke rënë ndonjëherë në dashuri, të biesh është gjë e lehtë
Po të pyes: A je ngritur ndonjëherë në dashuri? Nëse jo, nuk paske dashur vërtetë.
Rënia i ndodh secilit e vetëm disave ngritja
Po të mos kish’ rëndësi takimi, nuk do të ndodhte as pritja.

Ti je i vetmi frymor që qendron vertikalisht në natyrë,
Je e vetmja gjallesë që për ta parë veten, ke shpikur pasqyrë,
Loti yt ka shije të kripur, edhe pse është pa ngjyrë,
Nga të gjitha krijesat, ti nga turpi skuqesh në fytyrë,
Kjo është ana jote e dukshme që nga e padukshmja shfaqet,
Po s’e njohe sëmundjen tënde, do të vdesësh nga ilaçet,
Nga një pikë uji u bëre, por brenda ke miliona simfoni,
Je ai që edhe drurin e gurin i ke bërë të nxjerrin melodi,
Je i vetmi në natyrë që zjarrin e ke shpikur,
Të gjitha këto nga ti buruan, a prapë do të mbetesh i paditur?
Ti je hapësi i udhëve të botës, a prapë do të mbetesh i paudhë?
A edhe mbas këtyre fjalëve do të jetosh pa ditur ç’është Levhi Mahfudh?
Ti bëj si të duash nëse për veten kohë nuk ke
Unë për të të mësuar s’jam, por nëse do të të çmësojë, mos më kurse!

E varfër është ajo zemër që nuk e di ç’është të rrish në kijam,
Po s’e dite ç’do të thotë kjo fjalë, ta them unë se i gatshëm jam,
Por ama fjalët mbeten të vdekura siç mbetet trupi pa shpirt,
S’mjafton veç të qendrosh drejt si qiri, duhet edhe të bësh dritë
Ti mund të ushqehesh me nektarin e luleve, por nuk bën dot mjaltë,
Mund ta kthesh qiriun e ndezur poshtazi, por flaka e tij kthehet lart,
Bëhu flakë në kandilin e ekzistencës e ngrohi zemrat që ftohtësi ndiejnë,
Qëndro si elif dhe s’prish punë edhe nëse ndonjëherë mbrapsht të kthejnë,
Se mbarë apo mbrapsht po të kthehesh, ti pa kuptim nuk mbetesh,
Ndizu dhe qendro si qiri, se kur ndriçon, ia vlen edhe të tretesh.

Elif!
Nuk është vetë germë, është dëshmi që të gjitha alfabetet nisnin me A
A je i gatshëm që nga Toka të ngrihesh në Sidretul Muntehá?
E kam parasysh që edhe kjo mund të jetë e panjohur për ty
Është Një Pemë, por s’shihet nga zemërmbyllurit, sado që shikojnë me sy
Për gjërat që të kënaqin më shumë, fare pyetje nuk shtron
As kur trupin me atë që do e bashkon, e as kur ndonjë ushqim të shijon
Ndërsa kur ndokush flet për shkallë më të larta të së Vërtetës
Një mijë pyetje ia bën tjetrit edhe vetes
Nejse! Nuk ka gjë të keqe nga pyetjet e përgjigjet,
Dylli i ndihmon qiriut që fitili i tij shpejt të mos digjet
Fitili i ndihmon qiriut që flaka nga dylli të mos hiqet
Unë si elif qëndroj dhe dritën me ty do ta ndaj
Eja të ndriçojmë së bashku edhe nëse ndihesh me faj.

Fatmir Muja
Ramazan 2018