Kjo nuk është një poezi
Edhe pse si e tillë njihet
Edhe pse ka një shkrues
Mund të thoni “shkruesi s’i dihet”
Nuk i prishet hiç kuptimi
Strofë për strofe po e ndave
Është e shkruar veç për burrat
Por lexohet më shumë prej grave
Është recetë për atë soj burrash
të ditur, por mendjetrashur
Gratë nuk janë për t’u kuptuar
Gratë janë vetëm për t’u dashur
Kur të shijon një ushqim
S’i afrohesh për shkak të kuptimit
Shijet s’janë për t’u kuptuar
Janë vetë ajka e përjetimit
Kur pëlqen një melodi
Nuk pyet cili është kuptimi
Nuk pyet “pse?, nuk pyet “si?”
Se përgjigja është vetë shijimi
– Merre vesh, por mos qesh!
– Jo për Zotin, s’e bëj dot,
Asgjë si inati i grave
Nuk më bën të qesh me lot
Po u prek mendja tek
Edhe thyen, edhe thyhet
Edhe pse vetë mund të ecën
S’ke ç’t’i bësh, duhet të shtyhet
Po të shtyu me rrëmbim
Mos e lër pa përqafim
Se kështu puna e lyp
Të godet, por nuk të mbyt
Të largon për ta afruar
Të sulmon për ta mikluar
Të përbuz, por s’të urren
Të zemëron kur për të vlen.
Për një fjalë që t’ka dalë
Qortohesh një jetë të tërë
Duhet falje të kërkosh
Për fajin që s’e ke bërë
E po pyeti gruaja “pse?”
Me “sepse” mos ia kthe
Gjej një fjalë që nuk e pret
Që peshon, por është e lehtë
– Fjalë të tilla, thua ka?
– Ka, si s’ka more vëlla?
Po s’e gjete një të tillë
Vetëm heshtja të bën mirë
Ki kujdes, mos thuaj “pres”
Me një teh nuk je gërshërë
Burri le të bëhet pe
Nëse gruaja është gjilpërë.
Nyjen të gjithë mund ta lidhin
Urtësia është për ta zgjidhur
Vetëm gratë kanë aftësinë
Të na ftojnë pa na thirrur
Gratë dinë t’shprehin keqardhje
Pa e shoqëruar me kërkimfalje
Gratë mund t’vijnë për t’na takuar
Vendtakimin pa e caktuar
Dorën në zemër, hakun ta themi
Burra s’jemi, kur gra s’kemi.
Po më pyetët kujt t’ia tregoni
Fjalë për fjale “poezinë”
Burrave po, grave jo
Se gratë këto gjëra i dinë
E po s’patët durim fare
Ndajeni edhe me gratë
Por ama mos u ankoni
Që do të bëhet më e gjatë
Sepse gratë s’e lënë me kaq
Kanë ca llafe për t’i shtuar
Mendja e shkruesit është gjysmake
Ato dinë për ta plotësuar
Them që s’duhet të jetë më e gjatë
Por sërish vendosin gratë
Dhe të jeni shumë të matur
Po u thanë “shumë e ka zgjatur”. ~ Fatmir Muja