Më mirë të jetosh me kujtime
që deri në Ditën e Gjykimit dhembin
Sesa me kujtime që s’dhembin,
por ti ndien keqardhje që me ngjarjet e tyre
ke mbushur kohën dhe vendin.
Më mirë deri në frymën e fundit
të kesh qarë nga mungesa që ndien për dikë
sesa të pendohesh që e ndave kohën me të.
Më mirë të përlotesh për dikë
E të ndiesh dhembshuri për çdo ndjenjë
Sesa të thuash “mirë që iku,
nuk paska qenë zemër e denjë.”
Më mirë të qash
duke parë dhuratat që dikush t’i dha
se të mos ndiesh gjë përballë tyre
për shkak se dhuruesi ndjenja për to s’të la.
Më mirë të jetosh me plagët
që shkakton mungesa e një njeriu të mirë,
sesa të ndiesh keqardhje
përse nuk ishte i tillë.
Më mirë për dikë të këputesh
nga dega e pemës së kujtimeve si gjeth vjeshte,
sesa kur ta kesh kujtuar
të pendohesh pse aq fort e deshe.
Kështu pra,
Mbasi ndjenjat dikujt t’ia kesh vrarë
Mos prit të të ndiejë si më parë. ~ Fatmir Muja